Psychosocial Centre
International Federation of Red Cross and Red Crescent Societies
Gjetjet kryesore nga Raporti ESPAD 2024 për përdorimin e cigareve dhe të alkoolit tek adoleshentët
Përdorimi i cigareve
Përdorimi i cigareve vazhdon të jetë i përhapur gjerësisht midis adoleshentëve në vendet e ESPAD-it, me pothuajse një në tre nxënës që kanë tymosur cigare të paktën një herë në jetën e tyre (mesatarisht 32%). Shkalla më e lartë e përhapjes vërehet në Hungari (51%) dhe Sllovaki (46%), ndërsa në Kosovë është 41%. Dallimet gjinore tregojnë një përhapje pak më të lartë tek vajzat (32% kundrejt 31% tek djemtë). Megjithatë, në disa vende ky trend është i kundërt, veçanërisht në Kosovë (47% tek djemtë kundrejt 36% tek vajzat).
Mesatarisht, 15% e nxënësve të ESPAD-it raportojnë se kanë tymosur për herë të parë në moshën 13 vjeç ose më herët. Përqindjet më të larta regjistrohen në Sllovaki (24%) dhe Kosovë (23%), ndërsa më të ulëtat në Islandë (6.4%) dhe Maltë (7.1%). Në më shumë se gjysmën e vendeve, fillimi i hershëm i pirjes së duhanit është më i zakonshëm tek vajzat, veçanërisht në Bullgari (23% kundrejt 17%). Ndër vendet ku djemtë kanë më shumë gjasa të fillojnë herët, Kosova paraqet hendekun më të madh (31% kundrejt 16%).
Më shumë se gjysma e nxënësve të ESPAD-it (55%) e konsiderojnë cigaren “mjaft” ose “shumë” të lehtë për t’u siguruar. Kjo ndjesi është më e lartë në Danimarkë (76%), e ndjekur nga Gjermania dhe Norvegjia (70%). Në të kundërt, përqindjet më të ulëta raportohen në Kosovë (32%) dhe Moldavi (23%).
Përdorimi aktual i cigareve, i përcaktuar si pirja e duhanit gjatë 30 ditëve të fundit, raportohet nga 18% e nxënësve. Përhapja më e lartë vërehet në Kroaci dhe Hungari (32%), ndërsa më e ulëta në Islandë (4.2%) dhe Suedi (8.2%). Në Kosovë është 27.6%.
Përdorimi ditor i cigareve raportohet nga 7.9% e nxënësve të ESPAD-it, me përqindje të ngjashme midis gjinive. Shkallët më të larta vërehen në Bullgari dhe Kroaci (20%), ndërsa më e ulëta në Islandë (0.8%). Në Kosovë kjo shifër është 17.42%.
Një tregues tjetër i rëndësishëm është përdorimi ditor midis nxënësve që kanë filluar të pinë duhan në moshë të hershme (13 vjeç ose më pak). Mesatarisht, 3.6% e nxënësve bien në këtë kategori, me përqindjen më të lartë në Bullgari (8.7%). Në Kosovë kjo është 9%.
Ndjekja e trendeve: si kanë ndryshuar gjërat nga 1995 deri në 2024
Midis sondazhit të parë dhe atij të fundit të ESPAD-it, përhapja gjatë gjithë jetës e përdorimit të cigareve ka rënë ndjeshëm, duke u përgjysmuar nga 68% në 32%, me rënien më të madhe mes viteve 2019 dhe 2024 (një rënie prej 10 pikë përqindjeje). Në Kosovë ky trend ka mbetur i njëjtë që nga viti 2011, rreth 40%.
Ndërsa në vendet evropiane vërehet një rënie e përgjithshme në përdorimin e cigareve, tek adoleshentët kosovarë nuk janë vërejtur ndryshime të rëndësishme.
Përdorimi i alkoolit
Konsumi i alkoolit gjatë gjithë jetës raportohet nga 73% e adoleshentëve në vendet e ESPAD-it. Shkallët më të larta të përhapjes vërehen në Hungari (91%) dhe Danimarkë (90%), ndërsa më të ulëtat në Kosovë (29%) dhe Islandë (41%). Dallimet gjinore tregojnë një përhapje pak më të lartë tek vajzat (74%) sesa tek djemtë (72%), trend ky i vërejtur në më shumë se gjysmën e vendeve. Dallimet më të theksuara gjinore janë në Islandë (48% kundrejt 34%), Letoni (84% kundrejt 73%) dhe në Lituani, Maltë dhe Monako, secila me një hendek prej 10 pikësh përqindjeje. Megjithatë, në disa vende trendi është i kundërt, veçanërisht në Kosovë (37% tek djemtë kundrejt 23% tek vajzat).
Mesatarisht, 33% e nxënësve të ESPAD-it raportojnë se kanë pirë për herë të parë në moshën 13 vjeç ose më herët, një tregues i konsumit të hershëm të alkoolit, ndërsa 8% thonë se janë dehur për herë të parë në të njëjtën moshë. Shkallët më të larta të konsumit të hershëm raportohen në Gjeorgji (64%) dhe Moldavi (49%), ndërsa më të ulëtat në Islandë (12%), Kosovë dhe Norvegji (14%). Po ashtu, dehja në moshë të hershme është më e përhapur në Gjeorgji (25%) dhe Bullgari (14%), dhe më e rrallë në Kosovë (3%), Francë dhe Portugali (3.6%) dhe Ishujt Faroe (3.9%).
Djemtë raportojnë përqindje pak më të larta se vajzat, si për konsumimin e alkoolit (34% kundrejt 33%) ashtu edhe për dehjen (8.2% kundrejt 7.8%).
Tre nga katër nxënës të ESPAD-it (75%) e konsiderojnë alkoolin “mjaft” ose “shumë” të lehtë për t’u siguruar. Kjo ndjesi është më e lartë në Danimarkë dhe Gjermani (94%), e ndjekur nga Greqia (92%), ndërsa më e ulëta raportohet në Kosovë (42%) dhe Islandë (54%). Në përgjithësi, vajzat e perceptojnë alkoolin si më të lehtë për t’u siguruar se djemtë (77% kundrejt 73%).
Konsumi aktual i alkoolit, i përcaktuar si pirja gjatë 30 ditëve të fundit, raportohet nga 42% e nxënësve. Përhapja më e lartë vërehet në Danimarkë (68%) dhe Gjermani (62%), ndërsa më e ulëta në Islandë (12%) dhe Kosovë (14%). Konsumi aktual i alkoolit është pak më i lartë tek vajzat (43% kundrejt 41%).
Dehja të paktën një herë gjatë 30 ditëve të fundit raportohet nga 13% e nxënësve të ESPAD-it. Shkallët më të larta vërehen në Danimarkë (36%), Austri (24%) dhe Hungari (22%), ndërsa më e ulëta në Kosovë (4.9%). Në përgjithësi, përqindjet janë të barabarta mes gjinive. Megjithatë, në nivel kombëtar, vajzat më shpesh raportojnë përqindje më të larta dehjeje se djemtë, me hendekun më të madh në Qipro (12% për vajzat kundrejt 4.4% për djemtë).
Ndjekja e trendeve: si kanë ndryshuar gjërat nga 1995 deri në 2024
Nga viti 1995 deri në 2024, konsumi i alkoolit gjatë gjithë jetës në vendet e ESPAD-it ka treguar një trend rënës, duke rënë nga 88% në 74%, megjithëse me disa luhatje. Përhapja arriti kulmin në vitin 2003 (91%), përpara se të fillonte të bjerë në vitet pasuese. Edhe pse të dhënat nuk janë të vazhdueshme për të gjitha vendet që nga 1995, rëniet më të mëdha janë vërejtur në Islandë (nga 79% në 41%) dhe Suedi (nga 89% në 56%). Një trend i ngjashëm vërehet në Kosovë, me një ulje nga 29% në vitin 2019 në 23% në vitin 2024.
Konsumi i alkoolit gjatë 30 ditëve të fundit ka rënë gjithashtu ndërmjet sondazheve të para dhe më të fundit të ESPAD-it, duke u ulur nga 55% në 43%. Ky trend pasqyron rënien në konsumin gjatë gjithë jetës, me përhapjen më të lartë në vitin 2003 (63%). Reduktimet më të mëdha janë vërejtur në Islandë (nga 56% në 12%), Irlandë (nga 66% në 35%) dhe Finlandë (nga 57% në 27%).
Sa i përket konsumit episodik të lartë të alkoolit, megjithëse përhapja e tij ka rënë nga 36% në 30% gjatë periudhës 30-vjeçare, ajo arriti kulmin në vitin 2007 (42%) pasi ishte rritur që nga 1995. Ky trend vërehet si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat. Në Kosovë ka pasur një rritje të lehtë nga 10.5% në 13.8%.
Sa i përket konsumit episodik të lartë të alkoolit, megjithëse përhapja e tij ka rënë nga 36% në 30% gjatë periudhës 30-vjeçare, ajo arriti kulmin në vitin 2007 (42%) pasi ishte rritur që nga 1995. Ky trend është i dukshëm si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat. Në Kosovë trendi ka mbetur i njëjtë që nga viti 2011, rreth 14%.